Mbledhja e Grupit të PS, Rama në krah të Ballukut, paralajmëron ndryshime ligjore: SPAK nuk preket!

Çështja 'Balluku' do të vijojë të jetë kryefjalë e diskutimeve, pasi në mbledhjen e sotme të Grupit, me praninë e kryeministrit Edi Rama, socialistët kanë vendosur të mos i hapin rrugë heqjes së imunitetit sipas kërkesës së SPAK, edhe pse Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin nga detyra të saj.

09.02.2026. 12:06

Mbledhja e Grupit të PS, Rama në krah të Ballukut, paralajmëron ndryshime ligjore: SPAK nuk preket!

Pak orë para se të fluturojë për në Bruksel, ku do të zhvillojë një takim me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Kosta, kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Belinda Balluku, e cila pas seancës së fundit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e vendosur nga GJKKO, nuk gëzon asnjë funksion tjetër shtetëror, përveç statusit të deputetes së Kuvendit të Shqipërisë.

Menjëherë pas mbledhjes, Rama përmes një postimi në platformën ‘X’ zbuloi tre konkluzione që janë arritur nga ky takim me ligjvënësit socialistë. Shefi i qeverisë këmbëngul në qëndrimin e tij, se një anëtar i Këshillit të Ministrave nuk mund të pezullohet me vendim gjykate dhe nënvizon se zgjidhja për ngërçin e krijuar në raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor, do të zgjidhet nga mazhoranca me ndryshime ligjore.

“Tre konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga : 1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.  2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”, shkruan Rama në ‘X’.

Më tej kryeministri bën me dije se Këshilli i Mandateve nuk do të shqyrtojë në të ardhmen e afërt kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.

“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, shprehet Rama.

Për fund kreu i qeverisë ka edhe një shtesë, siç ai nënvizon nga ana e tij, ku këmbëngul se: ‘SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet’.

“Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, përfundon Rama postimin e tij.

Sakaq, pas mbylljes së mbledhjes me deputetët, kryeministri Edi Rama do të niset rreth orës 14:00 drejt Brukselit, ku në fokus të bisedimeve do të jenë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)