Kërkesa e gjyqtarëve për rritjen e pagave ka ndezur një përplasje mes gjyqësorit dhe ekzekutivit. Kryeministri Edi Rama përmes një dalje në Facebook u shpreh kritik ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë, duke thënë se kërkesa e tyre është një tymnajë populiste dhe unike në të gjithë Europën.
Duke qenë se kërkesa për rritje pagash ka shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese, Rama tha se gjyqësori nuk mund t’i imponohet qeverisë duke kërkuar rreth 40 milionë euro shtesë në paga.
“Jam këtu në një komunikim të drejtë për drejtë sepse jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pa besueshëm i shoqatës së gjyqtarëve në lidhje me shqetësimin për një përpjekje që në këndvështrimin tim është e pa pranueshme për t’ju imponuar Kuvendit e qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët. S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Tymnajë populiste. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5 mijë euro. Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro. Ndërkohë, sot aktualisht, pagat e gjyqtarëve, janë rreth 6500 euro. Ju doni t’i rrisni pagat në muaj 3 mijë euro vetes, në gjykata. Ku jeni ju? Ça kërkoni? Ju i keni pagat sa në Greqi, ju doni ti rrisni me nga 2-3 mijë euro në muaj. Në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe Kushtetutë. Ju thoni se nuk mund të heshtni për përbaltjen kryeministrore? Çfarë përmbajtje? Ju jeni ajo palë që duhet të heshtë në publik dhe të japë vendim në sallën e gjyqit. Ju me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta. Nuk synon qëndrimi im të ndezë një debat në publik”, u shpreh Rama.
Më tej Rama theksoi se gjyqtarët në Shqipëri falë votës konsensuale të 2016-s në Kuvend për miratimin e Reformës në Drejtësi paguhen më tepër se çdo koleg i tyre në rajon.
Ai me ironi tha se Shoqata e Gjyqtarëve është duke vepruar si parti politike dhe u kërkoi të hyjnë në zgjedhje me një logo nëse vijojnë me kërkesa të tilla që për kryeministrin janë absurde.
“Mos u përfshini më duke përdorur etiketime, pasi ju shkojnë partive, sidomos atyre të vjetrave. E vërteta është krejt ndryshe dhe atë paketë e kanë hartuar ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë për atë që thoni ju. Zotërinj ne kemi vendosur në 2016-ën rritje pagash të jashtëzakonshme, si shprehje e vullnetit dhe mesazhit të asaj reforme. Që ju të paguheni më shumë se kolegët tuaj në rajon, që të jeni të pavarur dhe të bëni punën tuaj për ta mbajtur pushtetin e pavarësuar të drejtësisë, në emër të popullit dhe të republikës së Shqipërisë. Në 2016-ën kur kaluam vendimin, Shqipëria ishte një vend tjetër, sot ka më shumë mundësi”, tha kreu i qeverisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)