Një tjetër sinjal i forcimit të marrëdhënieve Shqipëri-Shtetet e Bashkuara u dha sot nga Uashingtoni, ku diplomacia shqiptare u përfaqësua në një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, me fokus paqen, sigurinë dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në qendër të diskutimit ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh, si dhe roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali theksoi se përfaqësimi i Shqipërisë nga Kryeministri Edi Rama në këtë nismë të Presidentit Trump “e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, duke i dhënë një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik, SHBA”. Ajo nënvizoi gjithashtu bindjen e përbashkët se “Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit”, i orientuar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme të konflikteve.
Ministrja bëri të ditur se Shqipëria do të jetë anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën, duke u konfirmuar si një vend që “eksporton stabilitet dhe siguri”.
Gjatë takimit u konfirmua edhe gatishmëria e Shqipërisë për zhvillimin e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, me synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, energjitik dhe zhvillimor mes dy vendeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)