Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për zbutjen e masës së sigurisë. Me këtë vendim, ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë do të vijojë të qëndrojë në paraburgim.
Vendimi u shpall nga gjyqtarja Saida Dollani, e cila nuk pranoi ankimin e paraqitur nga Meta përmes avokatit të tij, Gylsen Zhllima. Ankesa kishte si objekt zëvendësimin e masës “arrest në burg” me një masë më të butë sigurie.
Apeli i GJKKO vendosi të mos e pranojë ankimin ndaj vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila kishte vendosur vijimin e paraburgimit për Metën.
Pas vendimit, Ilir Meta reagoi publikisht, duke deklaruar se nuk është i habitur nga ajo që e cilëson si “drejtësi me regji”. Sipas tij, gjykata shmangu shqyrtimin e thelbit të ankesës së avokatëve të tij për të mos marrë përgjegjësi.
Meta pretendon se gjatë procesit u provuan me fakte, sipas tij, gënjeshtrat e prokurorëve, të cilët ai i akuzon se kanë manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë të paligjshme paraburgimin. Ai paralajmëroi se do të japë më shumë detaje në një reagim tjetër ditën e nesërme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)