Përfaqësues të Partisë Demokratike zhvilluan një takim me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ku u diskutua situata politike dhe institucionale në vend.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deputetja Jorida Tabaku dhe deputeti Ivi Kaso paraqitën shqetësimet e opozitës lidhur me, sipas tyre, përkeqësimin e standardeve demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Gjatë takimit, deputetët e PD-së theksuan bllokimin e shqyrtimit të mandatit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke argumentuar se çështja po mbahet peng në Këshillin e Mandateve nga shumica socialiste.
Një tjetër problematikë e ngritur ishte, sipas opozitës, kufizimi i hapësirave për debat parlamentar. Deputetët theksuan se ndërprerja e fjalës së opozitës në seancat plenare dhe dobësimi i mekanizmave të kontrollit ndaj qeverisë po kthehen në praktikë të zakonshme.
Raporteri Andreas Schieder u njoh me këto shqetësime dhe me vlerësimin e opozitës se këto zhvillime rrezikojnë procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe përmbushjen e standardeve demokratike të Bashkimit Europian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)