Në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është paraqitur projektligji “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i cili kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin që i bën Serbia pakicave etnike. Duke qenë se fokusi i veçantë është te shqiptarët e Luginës së Preshevës, paraqitja e këtij projektligji është përshëndetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ministrja Elisa Spiropali u shpreh: “Ky akt përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale të problematikave serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, veçanërisht të çështjes së pasivizimit”. Sipas saj “shënohet një hap domethënës në trajtimin serioz të këtyre problematikave në nivel ndërkombëtar”.
Përveçse ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministrja e vlerësoi këtë nismë të Kongresit Amerikan si një sinjal të fortë në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe si kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët tanë për adresimin e këtyre çështjeve”, tha Spiropali.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)