Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në themel ankimin e ish-deputetit Ervin Salianji, i cili kërkon shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që çuan në dënimin e tij penal.
Sipas vendimit të marrë, çështja do të shqyrtohet mbi bazë dokumentesh dhe pa zhvillimin e seancës dëgjimore publike, në këtë fazë të procesit kushtetues.
Ervin Salianji u lirua nga qelia më 8 korrik, pasi vuajti rreth nëntë muaj burg. Dënimi me një vit heqje lirie solli edhe humbjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
Ervin Salianji u dënua për kryerjen e veprës penale të “kallëzimit të rremë” lidhur me çështjen e njohur si dosja “Babale”, në të cilën ai publikoi një audio-përgjim ku pretendonte se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.
Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor më 18 dhjetor 2019 dhe e dënoi me 1 vit burgim për “kallëzim të rremë”, vendim që u konfirmua më vonë nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024.
Salianji ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura radhazi, i zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të viteve 2017 dhe 2021.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)