Edhe pse ishte parashikuar të zhvillohej mesditën e kësaj të mërkure, duke nisur prej orës 12:00, mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u anulua. Aty do të shqyrtohej heqja e mandatit për zv.kryeministren Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK që numri 2 i qeverisë të arrestohet.
Në argumentin për shtyrjen e mbledhjes, i cili i është komunikuar zyrtarisht edhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Këshillimi i Mandateve theksoi se nuk mund të dalë me një vendim, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese. Pas njoftimit, prokurorët e SPAK nuk u paraqitën në Kuvend.
Shtyrja u kërkua nga mazhoranca socialiste, ndërsa arsyet u bënë publike në njoftimin zyrtar. “Deputetët anëtarë të këtij Këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ‘për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zv.kryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit’, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese”, thuhej në njoftimin e Kuvendit.
Belinda Balluku është e pandehur për shkelje në tenderin me vlerë 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë. Ajo është nën hetim edhe për shtatë procedura prokurimi, që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe. Më herët, GJKKO me kërkesë të SPAK, e kishte pezulluar Ballukun nga detyra, vendim që kryeministri Edi Rama e konsideroi si tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit. Qeveria e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi rikthimin e përkohshëm të Ballukut në detyrë, deri në shqyrtimin në themel të çështjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)