Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka dhënë detaje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku u diskutua heqja e imunitetit për zv.kryeministren Belinda Balluku.
Bardhi deklaroi se SPAK i dha të drejtë opozitës që dosjen duhet ta kishte çdo deputet në Komisionin e Mandateve që të njihej me të.
“Kërkuam që mbledhja e sotme të ishte transparente për qytetarët, për përfaqësuesit e medias dhe e hapur për opinionin publik. Kërkesa nuk u mor në konsideratë. Sot jemi marrë vetëm me procedurën. E para ishte nëse deputetët ishte apo e drejtë të kishin të plotë dosjen e sjellë nga SPAK. Ajo që deputetët e opozitës e kanë thënë gjithë këto ditë, u konfirmua nga SPAK. Po, secili deputet anëtar i Këshillit të Mandateve duhet ta ketë të plotë”, u shpreh kreu i grupit të PD.
Sipas tij, USB-ja me provat u mbajt e kyçur që Belinda Balluku të fitonte kohë, teksa shtoi se Rama ende nuk e ka vendosur se çfarë të bëjë me të.
“Kyçën USB-në për t’i dhënë alibi të pandehurës se nuk ka lexuar të plotë materialin. 5 anëtarët e opozitës në komision kërkuan që mbledhja të ndërpritej. Deputetët të pajiseshin me materialin e plotë dhe të dëgjonin prokurorinë dhe të pandehurën Balluku të hënën në mëngjes. U zbulua skenari që Rama nuk e ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me Ballukun që të shohë deri ku shkon përgjegjësia e tij dhe çfarë të dhënash ka për atë në dosje”, tha Bardhi pas mbledhjes.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve zgjati për më shumë se 5 orë, teksa ende nuk është caktuar data për mbledhjen e radhës.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, mbrojtja ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me provat. Avokati i Ballukut, Ardian Kalija, kërkoi gjatë mbledhjes që të njihet me materialet e dorëzuara nga SPAK në Kuvend.
Konkretisht ai kërkoi akses në USB-në me provat e dorëzuara dhe theksoi se për një mbrojtje të plotë i nevojitet më tepër kohë, sepse dosja përmban rreth 10 mijë faqe. “Më duhen tre javë për t’u njohur me të gjitha aktet”, deklaroi Kalija, duke kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve.
Nga ana e tyre, prokurorët e SPAK, me në krye kreun e institucionit, Klodian Braho, u shprehën se avokati i Ballukut mund të njihet me provat, por vlerësuan se pesë ditë janë të mjaftueshme për shqyrtimin e materialeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)