Nis projekti “Smart City Albania”, Rama: Kamerat inteligjente do ndjekin të gjitha fytyrat e krimit

Kryeministri Edi Rama ka shpallur nisjen e projektit “Smart City Albania”, një sistem sigurie me kamera inteligjente që synon monitorimin e hapësirave publike, shkollave dhe rrugëve kombëtare, duke premtuar ndjekjen e krimit në kohë reale dhe rritjen e sigurisë në vend brenda dy viteve.

19.12.2025. 13:32

Nis projekti “Smart City Albania”, Rama: Kamerat inteligjente do ndjekin të gjitha fytyrat e krimit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar zyrtarisht nisjen e projektit “Smart City Albania”, një sistem i avancuar sigurie me kamera inteligjente, që sipas tij do të transformojë mënyrën se si luftohet krimi dhe si garantohet rendi publik në vend. Marrëveshja për zbatimin e projektit u firmos në përfundim të aktivitetit.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ky projekt do të sjellë një revolucion teknologjik në sigurinë publike dhe do ta bëjë shumë të vështirë, në mos të pamundur, kryerjen e veprave kriminale.

“Të gjitha fytyrat e krimit do t’i ndjekë vetë. Është një revolucion që vjen falë teknologjisë së lartë. Në harkun e dy viteve Shqipëria do të jetë në nivelin e vendeve më të sigurta të botës. Në harkun e 2 viteve Shqipëria do jetë në nivelin e vendeve më të sigurta të botës”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se sistemi do të ndihmojë edhe në problematikat e ndotjes dhe hedhjes së mbeturinave, veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke garantuar identifikimin e shkelësve në kohë reale.

Një vëmendje të veçantë Rama i kushtoi monitorimit të shkollave, duke e lidhur mungesën e kamerave me tragjeditë e ndodhura mes të miturve. “Mos pasja e pamjeve të qarta e ka vështirësuar punën e hetuesve dhe policisë. Me këtë sistem, oborret e shkollave do të vëzhgohen 24 orë”, tha ai.

Kryeministri shtoi se sistemi do të rrisë transparencën edhe në rrugët kombëtare dhe mbrojtjen e pronës, duke mos lejuar më “mbylljen e syve” nga askush.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)