“Në Kryesi mu bë 4 orë gjyq”, Salianji nga Elbasani zbulon synimet e “Foltores” së tij

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji zhvilloi sot në Elbasan, takimin e radhës me demokratët, ku zbuloi edhe synimin parësor të lëvizjes që ka nisur për rizgjimin e Partisë Demokratike.

16.12.2025. 19:11

“Në Kryesi mu bë 4 orë gjyq”, Salianji nga Elbasani zbulon synimet e “Foltores” së tij

“Në Kryesi bënë katër orë gjyq për mua dhe 30 minuta për Ramën dhe Ballukun”. Me këtë konstatim për mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike të pak ditëve më parë, ku pati përplasje të forta me Flamur Nokën dhe Sali Berishën, e nisi Ervin Salianji takimin e tij me demokratët e Elbasanit.

Ish-deputeti i PD pas Durrësit dhe Gjirokastrës u ndal në sallën e Teatrit “Skampa” për “Foltoren” e tij të tretë, ku nuk mungoi prezenca e shumë anëtarëve të Partisë Demokratike, së degës Elbasan, të cilët e pritën me entuziazëm.

Salianji mbajti një qëndrim kritik në raport me strategjinë që po ndjek selia blu për rrëzimin e Edi Ramës dhe ardhjen në pushtet, duke këmbëngulur se procesi i ndryshimit që qytetarët po e kërkojnë në mbarë vendin, duhet shoqëruar me rienergjizim dhe autokritikë dhe debat të brendshëm në PD.

“Edi Rama nuk mundet as me armiq imagjinarë, as me përbetime të përsëritura prej vitesh nga disa që në politikë mund të njihen dhe si idiotë të dobishëm që nuk i lidh asgjë me njerëzit dhe që humbjet i kanë të vetmet bilanc në karrierën politike. Mbledhja e fundit e kryesisë, ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju dhe 30 minuta për Edi Ramën. Duhet ta themi qartë në çdo diskutim të brendshëm të PD se nuk është rruga e duhur që ka zgjedhur në momente të rëndësishme të saj. Dhe po e them dhe sot, Edi Rama nuk mundet as me armiq imagjinarë, as me përbetime të përsëritura prej vitesh nga disa që në politikë mund të njihen dhe si idiotë të dobishëm që nuk i lidh asgjë me njerëzit dhe që humbjet i kanë të vetmet bilanc në karrierën politike, Riorganizimi i PD në të njëjtën kohë me protestën është po aq i rëndësishëm sa protesta për PD, për të pasur masivitetin që e kërkon cdo demokrat. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetëe veç respektimit të demokratëve”, deklaroi Salianji nga Elbasani.

As ambicien për të çuar PD drejt fitoreve nuk e fshehu, teksa tha se lëvizja e tij ka pikërisht këtë synimin kryesor.

“Shumë pyesin se çfarë duam ne me këtë lëvizje? Ne duam që PD të jetë fituese. Sot Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqje”, tha Salianji.

Pavarësisht përplasjeve me Berishën, në protestën e thirrur prej tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 22 dhjetor konfirmoi se do të marrë pjesë dhe madje ftoi qytetarët t’i bashkohen tubimit.

“Në 22 dhjetor e gjithë energjia e kësaj salle dhe sallave në të gjithë Shqipërinë duhet të përplaset në muret e Kryeministrisë”, deklaroi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)