Spiropali kërkon në Athinë heqjen e ligjit të luftës: Jemi partnerë në NATO e së shpejti edhe në BE

Spiropali pas takimit me homologun e saj George Gerapetritis ka kërkuar që Greqia të heqë ligjin e luftës, duke theksuar se dy vendet janë pjesë e NATO-s.

16.12.2025. 14:36

Spiropali kërkon në Athinë heqjen e ligjit të luftës: Jemi partnerë në NATO e së shpejti edhe në BE

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali u ndal sot në një vizitë zyrtare në Athinë, ku zhvilloi takime të nivelit të lartë, fillimisht me Presidentin Konstantinos Tasoulas dhe më pas me homologun e saj helen, George Gerapetritis.

Ashtu siç kishte paralajmëruar në një intervistë me median greke TA NEA dy ditë më parë, Spiropali ka shtruar në diskutimet në Athinë tema të diskutueshme në 360 gradë. Kjo u duk qartë në konferencën e përbashkët me Gerapetritis, ku Spiropali kërkoi që Greqia të shfuqizojë ligjin e luftës, një kërkesë e përsëritur kjo prej kohësh edhe nga kryeministri Edi Rama.

Spiropali argumentoi se e tashmja e përbashkët e dy vendeve tona është në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe e ardhmja e përbashkët do të na gjejë në Bashkimin Evropian, ndaj është e palogjikshme që të jetë në fuqi një ligj që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, që nuk reflekton miqësinë dhe nivelin e bashkëpunimit mes fqinjëve.

“Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve. Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.

Në vijim, ministrja e Jashtme falenderoi homologun e saj grek pasi kaë treguar vizion “për të ndërtuar një marrëdhënie me sytë nga e ardhmja”, dhe e përsëriti se heqja e ligjit të luftës “do të forconte më tej bashkëpunimin dhe vizionin tonë të përbashkët europian”.

Sakaq, ministri i Jashtëm grek pasi vlerësoi lidhjet historike midis dy vendeve, u ndal te rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, duke nënvizuar suksesin në këtë drejtim.

“Greqia dhe Shqipëria kanë lidhje shekullore dhe ne duhet të fokusohemi në ato pika që i bashkojnë dy popujve tanë. Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve. Kontributi i emigrantëve shqiptarë, kanë treguar shkallë të lakmueshme integrimi në shoqërinë helene. Diskutuam zgjerimin, është nevoja gjeopolitike e BE. Greqia ka qenë pararojë e idesë së Ballkanit Perëndimor në BE. Ne mbetemi forcë nxitëse në këtë drejtim. Në kuadër të presidencës së BE, të ndihmojmë duke ndërmarrë nisma. Greqia qëndron konseguente në pozicionimin e saj drejt futjes së Ballkanit Perëndimor në BE, në bazë të performancave dhe reformave të kryera. Ne përshëndesim progresin e Shqipërisë, që çoi në hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Pra, vlerësojmë kujdesin e veçantë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, që përbëjnë përparësi për ne. Ekzistojnë mundësi të zgjerimit të bashkëpunimit cilësor dhe sasior”, deklaroi Gerapetritis.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)