Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, nisi sot vizitën e saj zyrtare në Athinë me një pritje nga Presidenti i Greqisë, Konstantinos Tassoulas. Gjatë takimit, Spiropali theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe rolin e Greqisë në avancimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria beson fuqimisht se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane,” deklaroi Spiropali, duke e cilësuar zgjerimin e BE-së si një investim strategjik në stabilitet, mundësi dhe konsolidim demokratik. Ajo shtoi se marrëdhëniet dypalëshe duhet të zhvillohen mbi lidhje të forta njerëzore, interesat strategjike të përbashkëta, partneritetin e ngushtë në NATO dhe perspektivën evropiane të përbashkët.
Nga ana e tij, Presidenti Tassoulas përgëzoi Ministren për reformat dhe investimet që kanë kontribuar në progresin e Shqipërisë dhe e kanë afruar vendin më pranë objektivit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, duke e konsideruar Greqinë partnerin kryesor ekonomik të Shqipërisë në rajon.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)