Veliaj prej 10 muajsh pa rrogë, Bashkia i kërkon ndihmë KQZ-së: Si të veprojmë

Bashkia e Tiranës i ka dërguar një shkresë zyrtare KQZ-së ku i kërkon ndihmë ligjore sesi duhet të veprojë me çështjen e pagës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili nuk paguhet prej muajit shkurt. Kujtojmë që pak kohë më parë Kushtetuesja e riktheu në detyrë Veliajn.

15.12.2025. 20:27

Veliaj prej 10 muajsh pa rrogë, Bashkia i kërkon ndihmë KQZ-së: Si të veprojmë

Bashkia e Tiranës i ka dërguar një letër zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku i bën me dije se kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili qëndron në paraburgimin e Durrësit, prej 10 muajsh tashmë, nuk ka marrë pagën e tij si drejtues në këtë institucion.

Për këtë arsye Bashkia kërkon ndihmën e KQZ se si duhet të veprojë në lidhje me aktet ligjore dhe nënligjore mbi të cilat bazohet e drejta e të zgjedhur si kryetar bashkie për pagën mujore.

Kujtojmë se pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë në detyrë kryebashkiakun Veliaj dhe të anulojë dekretin e presidentit Begaj për zgjedhjet në kryeqytet.

Letra e Bashkisë, drejtuar KQZ-së

“Të nderuar, Ju drejtohemi për të kërkuar interpretim ligjor lidhur me shlyerjen e pagesës mujore për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Z. Erion Veliaj.

Referuar Vendimit Nr.7 Akti, datë 09.02.2025, Vendimit Nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si dhe Vendimit Nr. 13 (87-2025-85) datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kryetari ndodhet në masën shtrënguese “Arrest me Burg”.

Nga data 11.02.2025 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës masa shtrënguese ka qënë në fuqi, nga ana e Bashkisë Tiranë nuk është kryer asnjë pagesë mujore për Z. Veliaj.

Referuar Vendimit datë 03.11.2025 të Gjykatës Kushtetuese me anë të së cilës është shfuqizuar Vendimi Nr.539 datë 25.09.2025 i Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Z. Veliaj vazhdon të jetë Kryetar i Bashkisë, i zgjedhur nga zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Proçedura standarte e pagesës së pagave mujore për të punësuarit pranë Bashkisë Tiranë, zbatohet referuar Udhëzimit Nr. 30, datë 27.12.2011 “Për Menaxhimin e Aktiveve në Njësitë e Sektorit Publik” (i ndryshuar), pika 69, pika 70 dhe 71 në të cilat shprehimisht citohet:

-Listëpagesat plotësohen nga punonjësi i caktuar për pagat, duke u mbështetur në të dhënat e dokumentacionit bazë (listëprezenca e firmosur nga menaxheri i strukturës përkatëse) për shërbimin e kryer. Ato kontrollohen dhe nënshkruhen nga punonjësi i caktuar me menaxhimin e burimeve njerëzore dhe nëpunësi zbatues ose i deleguari i tij.

-Përmbledhja e listëpagesave, e cila shoqëron urdhrin për shpenzimin e pagave, duhet të nënshkruhet nga nëpunësi zbatues dhe nga nëpunësi autorizues ose i deleguari i tij.

-Të dhënat për të përcaktuar të drejtën e punonjësit për pagë, kur ai nuk punon për shkak ndërprerjeje në punë jo për fajin e tij, të lejes së zakonshme, të pjesëmarrjes në kurse trajnimi, për paaftësi të përkohshme në punë, për kryerjen e detyrave të tjera shtetërore ose shoqërore, vërtetohen me dokumente të miratuara me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi”…

Përsa më sipër, të ndodhur në këto kushte, të cilat vështirësojnë trajtimin nga ana jonë si dhe bazuar në rolin tuaj, kërkojmë udhëzim në interpretimin e togfjalëshit “vërtetohen me dokumente të miratuara me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi” në pikën 71 të këtij udhëzimi, duke na orientuar se cilat janë këto akte ligjore dhe nënligjore mbi të cilat bazohet e drejta e të zgjedhurit për pagë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)