Berisha ndërpret bashkëpunimin me mazhorancën: Protestat deri në qeveri teknike

Në një deklaratë për gazetarët, Sali Berisha u shpreh se PD do të ndërpresë çdo bashkëpunim me qeverinë e krimit, siç e quajti ai. Kreu demokrat tha se do të mbahen protesta deri në qeveri teknike.

15.12.2025. 13:42

Berisha ndërpret bashkëpunimin me mazhorancën: Protestat deri në qeveri teknike

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se do të ndërpresë çdo forme bashkëpunimi me qeverinë, duke paralajmëruar nisjen e një beteje politike që, sipas tij, do të kulmojë me protesta dhe kërkesën për një qeveri teknike.

Në një deklaratë për gazetarët, Berisha deklaroi se zgjedhja e Avokatit të Popullit ka shënuar pikën e fundit të bashkëpunimit institucional mes opozitës dhe mazhorancës, të cilën ai e cilësoi si “mazhorancë e krimit dhe drogës”. Sipas tij, opozita nuk ka më rrugë tjetër veçse përballjen në rrugë, përmes protestave, deri në realizimin e objektivit për një qeveri teknike.

“Nuk ka më bashkëpunim. Ne nisim betejën tonë si rruga e vetme për qeveri teknike,” u shpreh Berisha, duke komentuar edhe aksionin politik të Adriatik Lapajt, për të cilin tha se është një nismë që ai e mbështet.

Në të njëjtën deklaratë, kryetari i PD-së ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke denoncuar, sipas tij, pazare të mëdha në sektorin e ndërtimit dhe projekteve strategjike. Berisha zbardhi detaje nga një takim, i pretenduar nga ai, i zhvilluar në Aruba, ku thotë se është diskutuar ndërtimi i një kulle 120-katëshe në qendër të Tiranës, të cilën e quajti “Everesti i Tiranës”.

Ai akuzoi qeverinë se vendimet për kulla, porte dhe projekte të mëdha janë marrë drejtpërdrejt nga kryeministri, ndërsa emrat e biznesmenëve shërbejnë vetëm si “prestanomë”. Sipas Berishës, gjithçka është e dokumentuar në vendime të firmosura nga Edi Rama.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve për reagim, duke theksuar se, sipas tij, vetëm përmes guximit dhe përfshirjes qytetare mund të ndalet ajo që e cilësoi si një regjim që “vjedh në çdo kohë dhe në çdo formë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)