Protesta me muaj, Lapaj i kujton Ramës skenarin bullgar: Mblidhuni, t’i shporrim ata që na vjedhin

I ftohti i kësaj të diele nuk e ka penguar Adriatik Lapajn dhe dhjetra mbështetës të lëvizjes "Shqipëria Bëhet" që të grumbullohen para Kryeministrisë duke bërë thirrje për largimin e kreut të ekzekutivit, Edi Rama. Madje Lapaj ka përmendur edhe skenarin bullgar me protesta që zgjatën disa muaj.

14.12.2025. 19:40

Protesta me muaj, Lapaj i kujton Ramës skenarin bullgar: Mblidhuni, t’i shporrim ata që na vjedhin

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka vijuar protestën përpara Kryeministrisë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen revoltës kundër qeverisë dhe, sipas tij, kundër atyre që “vjedhin miliona euro me një firmë apo me një të rënë të lapsit”.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Lapaj solli si shembull protestat në Bullgari dhe Greqi, duke theksuar se ndryshimi vjen përmes këmbënguljes dhe bashkimit qytetar.

“E patë çfarë ndodhi në Bullgari? Populli e çoi qeverinë drejt dorëheqjes. Nuk dolën brenda një jave, por luftuan me muaj. Nga pesë u bënë dhjetë, dhjetë mijë, e deri në dorëheqjen e qeverisë”, u shpreh Lapaj.

Ai përmendi gjithashtu protestat e fermerëve grekë, duke theksuar se edhe kërkesat që në Shqipëri shpesh neglizhohen, në vende të tjera nxisin reagim të fortë qytetar. “Nuk ngelen pas as fermerët grekë, që prej një jave janë çuar për gjëra që ne nuk i konsiderojmë fare, si subvencionet. Ka ardhur koha të shporrim autokratin Rama”.

Lapaj theksoi se protesta duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe përtej ndarjeve politike, fetare apo shoqërore.

“Kini besim se ne mund t’ia dalim. Nuk ka fuqi më të madhe se protesta e njerëzve të lirë kur bashkohen përballë atyre që na vjedhin. Të bashkojmë arsimtarët, fermerët, prindërit dhe të rinjtë kundër atyre që na vjedhin. Nuk ka katolik, ortodoks apo mysliman në këtë histori, as të majtë apo të djathtë. Ka vetëm dy palë: ata që me një të rënë të lapsit vjedhin miliona euro dhe ne poshtë që punojmë. Duhet të bëhemi bashkë për t’i shembur dhe për t’i shporrur”, bëri thirrje Lapaj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)