Nga çështja e "Detit", te futja e shqipes në shkollat greke, Spiropali për TA NEA: Vij në Athinë për diskutime 360 gradë

Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka dhënë një intervistë për median greke TA NEA, 72 orë përpara vizitës së saj në Athinë, ku thotë se me homologun e saj helen është e hapur të dsikutojë çdo temë, përfshirë edhe çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.

Burimi: TA NEA

14.12.2025. 18:51

Nga çështja e "Detit", te futja e shqipes në shkollat greke, Spiropali për TA NEA: Vij në Athinë për diskutime 360 gradë

Përpara vizitës së saj zyrtare në Athinë, që pritet të zhvillohet të martën, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka dhënë një intervistë për gazetën greke TA NEA, ku ka theksuar rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

E pyetur për agjendën e takimeve me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, Spiropali u shpreh se vizita në Athinë synon një diskutim të gjithanshëm mbi marrëdhëniet dypalëshe, madje duke mos anashkaluar çështjen e detit.

“Po vij në Athinë për të diskutuar 360 gradë, për gjithçka. Për listën tonë shumë të gjatë, e theksoj, shumë të gjatë, të bashkëpunimit dhe pikave të forta, por edhe për fushat ku mund të përmirësohemi”, tha ajo.

Ministrja theksoi se për Shqipërinë, Greqia mbetet një partner strategjik dhe një fqinj me rëndësi të veçantë. “Vullneti ynë është të ecim përpara në frymën e bashkëpunimit të ngushtë, miqësisë dhe vlerave evropiane. Marrëdhëniet tona janë tashmë shumë të afërta, por besoj se ato mund të zgjerohen më tej në fusha strategjike si energjia – veçanërisht ajo e rinovueshme dhe siguria energjetike rajonale, mbrojtja e mjedisit, transformimi digjital, turizmi, siguria dhe shumë të tjera”.

E pyetur për çështjen ende të pazgjidhur të përcaktimit të zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, Ministrja e Jashtme theksoi angazhimin e palës shqiptare për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Shqipëria mbetet fuqimisht e angazhuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull me Greqinë, përfshirë përcaktimin e zonave detare dhe marrëveshjet që lidhen me disa aspekte të kufirit tokësor, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe respektimin e parimeve të fqinjësisë së mirë”, deklaroi ajo.

Spiropali nënvizoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm mes Tiranës dhe Athinës. Në intervistë u trajtua çështja e diasporës shqiptare në Greqi, me Spiropalin që theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit për mirëqenien e saj, përfshirë lehtësimin e procedurave administrative dhe krijimin e më shumë mundësive arsimore dhe kulturore për fëmijët e emigrantëve, mes tyre edhe futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat greke.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se të dyja qeveritë janë në fazë intensive pune për një marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore.

“Kjo marrëveshje do të garantojë njohjen e drejtë të pensioneve dhe kontributeve, duke mbrojtur vitet e punës dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.Në periudhën në vijim, të dyja palët duhet të vazhdojnë të forcojnë kanalet e hapura të komunikimit për të siguruar që rruga përpara të mbetet konstruktive, në respekt të ndërsjelltë dhe në përputhje me aspiratat tona të përbashkëta evropiane.”

Lidhur me rolin që Greqia mund të luajë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë Presidencës greke të BE-së në vitin 2027, Spiropali shprehu pritshmëri të qarta. “Pritshmëria jonë është që Greqia të përdorë zërin dhe peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane në rajonin tonë, ku Greqia dhe Ballkani Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike dhe jo si periferi të ndara”, tha ajo.

Sipas saj, integrimi i Ballkanit Perëndimor është një investim strategjik për vetë Bashkimin Evropian.

“Besoj se, nën udhëheqjen greke, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës evropiane, jo si një shënim dytësor, por si një investim thelbësor në stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës. Është në interesin më të mirë të Greqisë dhe të qytetarëve grekë që të kenë në kufijtë e tyre një hapësirë më të gjerë evropiane dhe një partner më të fortë. Krijimi i një korridori të dytë tregtie, energjie, transporti dhe lidhjeje digjitale, që shtrihet nga Greqia përmes Shqipërisë e më tej në zemër të Evropës, do të sillte përfitime për të gjitha vendet tona”, u shpreh ministrja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)