Ka përfunduar pas disa orësh mbledhja urgjente e Kryesisë së Partisë Demokratike, e thirrur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres Belinda Balluku. Takimi, që u zhvillua me dyer të mbyllura, u shoqërua me debate të forta dhe përplasje politike mes anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji, kreut të PD-së Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka.
Bëhet me dije se diskutimet kanë qenë të tensionuara, kryesisht për strategjinë që duhet të ndjekë opozita pas vendimit të Kushtetueses dhe mënyrën e organizimit të protestave kundër qeverisë. Pas përfundimit të mbledhjes, Ervin Salianji doli në një prononcim për mediat, ku shprehu hapur pakënaqësinë e tij për drejtimin e diskutimeve dhe vendimmarrjen brenda partisë.
“Jam i keqardhur që mbledhja e Kryesisë e zhvendosi fokusin nga protesta. Kishte mendime të ndryshme, por çdo ndryshim nuk vjen pa sakrifica dhe përplasje,” u shpreh Salianji. Ai theksoi se do të vijojë përpara dhe se çdo akuzë ndaj tij do të marrë përgjigje me fakte konkrete dhe emra konkretë.
Salianji hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, duke e bërë përgjegjës për, siç tha ai, paqartësinë e vendimmarrjes së partisë në disa raste kyçe.
Në lidhje me protestat, Salianji u shpreh se ishte i kënaqur që vendimmarrja për protestën e datës 22 shkoi në drejtimin që ai kishte kërkuar prej kohësh, për organizimin e protestave dhe revoltës qytetare kundër qeverisë, veçanërisht pas skandalit Rama-Balluku. Megjithatë, ai ironizoi faktin se protesta, sipas tij, zgjati më shumë ndaj demokratëve të pakënaqur sesa ndaj Ballukut.
I pyetur nga gazetarët nëse mbledhja ishte thirrur kundër tij, Salianji mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se kishte thjesht mendime të ndryshme. Ai bëri të ditur se do të vijojë takimet me demokratët në terren, me synimin për riorganizimin e PD-së dhe rikthimin e shpresës në strukturat e djathta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)