Mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje direkte mes figurave kryesore të opozitës. Burime nga brenda takimit bëjnë me dije se diskutimet kanë qenë të ashpra, me akuza të ndërsjella dhe tone të larta mes ish-kryeministrit Sali Berisha, deputetit Ervin Salianji dhe sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka.
Sipas burimeve, Flamur Noka i është drejtuar Salianjit me akuza të drejtpërdrejta, duke i thënë: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë”. Reagimi i Salianjit ka qenë i menjëhershëm dhe po aq i fortë: “Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”.
Në një moment të mbledhjes, Salianji dhe Berisha janë përballur drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, ndërsa diskutimi ka përfshirë edhe strategjinë që duhet të ndjekë opozita në muajt në vijim. Deputeti demokrat ka shpalosur qartë qëndrimin e tij, duke kërkuar ndryshim kursi në veprimet politike të PD-së.
“Është momenti të fokusohemi tek protesta dhe revolta, tek përballja me qeverinë dhe dëgjesa e çdo shqetësimi qytetar. Nëse nuk arrijmë t’i përkthejmë këto shqetësime në energji, do ta kemi të vështirë të organizojmë protesta”, është shprehur Salianji para nisjes së mbledhjes.
Ai ka theksuar më tej se: “Rruga e duhur janë revoltat, jo foltoret para Kryeministrisë”, duke shtuar se ka marrë pjesë në çdo protestë dhe i është nënshtruar vendimmarrjes së partisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)