Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet sot për të vendosur datën e fillimit të protestave, pas paralajmërimit të ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë ndalesës në Elbasan, si pjesë e turit të tij në qytetet e vendit. Berisha i cilësoi zgjedhjet e 11 majit si “farsë”, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e të gjitha burimeve shtetërore, përfshirë punësime të përkohshme dhe leje ndërtimi, për të siguruar votat.
Ai theksoi se “protestat nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë”. “Mund të mendojë ndonjëri se njerëzit nuk janë gati, por ata që janë gati, me ata do ngrihemi. Po 3000 shqiptarë janë gati të dalin dhe do të shtohemi,” tha Berisha. Gjithashtu, ai ftoi anëtarët e PD-së të angazhojnë të rinjtë në organizimin e protestave. Kreu i demokratëve kujtoi edhe rolin historik të të rinjve, duke thënë se ata “përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës” dhe nënvizoi rëndësinë e angazhimit të brezit të ri.
Ndërkohë, përpara mbledhjes së kryesisë, në një postim në rrjetet sociale, Sali Berisha shkruante: “Gabimet janë njerëzore, por qëndresa është ADN-ja e demokratëve. Sot në mbledhjen e kryesisë, kryesia do marrë vendimet për t’u angazhuar në betejën vendimtare, betejën finale”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)