Kuvendi ka miratuar me 81 vota pro dhe 16 kundër buxhetin e vitit 2026 pas një seance të gjatë që zgjati deri pas mesnatës.
Lajmi kryesor që prek direkt qytetarët është rritja e pagës minimale. Nga 1 janari 2026, paga minimale do të rritet në 50 mijë lekë, ndërsa deri në vitin 2028 pritet të shkojë në 60 mijë lekë, duke u rritur më tej sipas inflacionit. Po ashtu, pagat e administratës publike do të indeksohen me 2.5%, çka do të thotë se shumë punonjës të shtetit do të marrin një rritje të lehtë të të ardhurave mujore.
Pensionistët do të përfitojnë një formulë të re për rritjen e pensioneve, e cila përfshin bonuse mujore. Për këtë është parashikuar një fond prej 100 milionë eurosh, ndërsa 16.5 milionë euro të tjera janë lënë për indeksimin e tyre.
Sipas buxhetit të ri, të ardhurat e shtetit vitin tjetër pritet të arrijnë në 823 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 886.7 miliardë lekë. Deficiti buxhetor planifikohet të jetë 2.3% e PBB-së, ndërsa borxhi publik pritet të vazhdojë të ulet, duke zbritur në 53.6% të PBB-së në vitin 2026.
Qeveria thotë se do të vazhdojë të investojë fort në projekte publike, me një nivel mesatar prej 6.5% të PBB-së në vitet 2026–2028. Investimet do të fokusohen te projektet strategjike që lidhen me integrimin europian dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Edhe pushteti vendor përfiton rritje të buxhetit. Në vitin 2026, bashkitë do të kenë 97.7 miliardë lekë, ose 9% më shumë se vitin 2025. Edhe transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor do të rritet me 1.6 miliardë lekë, më shumë se dyfishi i nivelit të vitit 2015.
Në thelb, buxheti i ri synon të rrisë pagat dhe pensionet, të ulë borxhin publik dhe të mbajë të larta investimet në zhvillimin e vendit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)