Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përdori foltoren e Kuvendit për të uruar 35-vjetorin e Partisë Demokratike, por edhe për ta thumbuar atë për rezultatin e dobët të zgjedhjeve të 11 majit 2025. “Së pari, më lejoni t’ju uroj gëzuar festën e Partisë Demokratike, 35-vjetor i rëndësishëm për një prej forcave më të rëndësishme politike në tranzicionin shqiptar,” tha Balla.
“Më vjen keq që ky 35-vjetor ju gjen edhe në rezultatin më të dobët historik të partisë tuaj, më i dobët edhe se më 1997, më i dobëti edhe në betejat që ju drejtoi Luli”. Balla deklaroi se zgjedhjet e fundit ishin të lira dhe të ndershme, ndërsa akuzoi PD-në se nuk ka paraqitur asnjë provë për pretendimet e saj.
“E vërteta është se në zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk është faji ynë që nuk ju votuan shqiptarët, por për herë të parë pas kaq shumë humbjesh të shikonit nga vetja,” tha ai. Ai nënvizoi se raporti i ODIHR duhet pranuar dhe se rekomandimet do të diskutohen në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij, Balla ndalet edhe tek rezultati i votës së emigrantëve. “Kolegu këtu përmendi votën e Diasporës. Po mirë, këtu ka ndikuar shteti e pushteti, po në Diasporë ç’ju gjeti? Dy në tre shqiptarë në Diasporë ia besuan votën Ramës,” u shpreh deputeti socialist. Balla theksoi se këto kanë qenë “zgjedhjet më të hetuara ndonjëherë” dhe se asnjë provë për manipulim nuk është gjetur.
Balla mbylli fjalën me një tjetër goditje politike ndaj PD-së: “Partia Demokratike nuk i ka njohur kurrë humbjet e zgjedhjeve, përveç 2005-ës kur fitoi. Dhe, me këtë qasje, humbjet e tjera ju presin”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)