35-vjetori i PD, Berisha: Gati për protesta të fuqishme kombëtare, narkoshteti po shembet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se do të nisin protestat kombëtare, duke thënë se “narkoshteti po shembet” dhe se demokratët do të japin goditjen përfundimtare.

11.12.2025. 20:24

35-vjetori i PD, Berisha: Gati për protesta të fuqishme kombëtare, narkoshteti po shembet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpalli nisjen e një vale protestash kombëtare, duke theksuar se “narkoshteti po shembet” dhe se demokratët duhet të japin goditjen përfundimtare për fitoren e merituar të PD-së. Deklarata u bë gjatë ceremonisë së 35-vjetorit të themelimit të partisë, ku Berisha nënvizoi se Shqipëria kurrë nuk ka pasur një opozitë më sovrane dhe të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar. 

“Na pret përballja përfundimtare, të organizojmë protesta më të fuqishme kombëtare dhe të arrijmë me votën tonë fitoren e merituar. Narkoshteti po shembet, por goditjen përfundimtare duhet t’ja japim ne,” tha Berisha, duke bërë thirrje për mobilizim të demokratëve në të gjithë vendin. 

Gjatë fjalës së tij, Berisha rikujtoi themelimin e PD-së si një parti që i dha Shqipërisë pluralizmin politik dhe lirinë pas diktaturës komuniste, duke e përshkruar si forcën e parë politike në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin në NATO. Ai nënvizoi gjithashtu rolin e partisë në rikthimin e besimeve fetare të shqiptarëve dhe kontributin e saj historik në mbrojtjen e interesave kombëtare. 

Berisha tha se sot PD-ja duhet të vazhdojë misionin e saj për të shpëtuar demokracinë dhe familjen shqiptare, duke sfiduar një qeverisje që e akuzoi për krijimin e një “narkoshteti” dhe për manipulime zgjedhore. Ai paralajmëroi se protesta kombëtare do të jenë të fuqishme dhe të koordinuara në të gjithë vendin, si pjesë e betejës për rikthimin e drejtësisë dhe forcimin e demokracisë. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)