“Gjipeja, varri yt politik”, përplasje Noka-Bido në Kuvend: O Flamur që s’di kur u ngrit flamuri!

Seanca plenare e së enjtes u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve Flamur Noka, Ardit Bido, Taulant Balla dhe Klevis Balliu, duke u kthyer në një nga përplasjet më të tensionuara të muajve të fundit. Konflikti nisi kur Flamur Noka akuzoi Ardit Bidon për falsifikim dokumentesh në Gjipe.

04.12.2025. 22:39

“Gjipeja, varri yt politik”, përplasje Noka-Bido në Kuvend: O Flamur që s’di kur u ngrit flamuri!

Seanca plenare e së enjtes vijon ende në Kuvend dhe tensionet e përplasje verbale nuk munguan as në orët e mbrëmjes. Protagonistë u bënë deputeti demokrat Flamur Noka dhe ai socialist Ardit Bido, dhe të dy patën për mbështetës në debat respektivisht Klevis Balliun e Taulant Ballën.

Përplasja Noka-Bido nisi kur Sekretari i Përgjithshëm i PD e akuzoi socialistin për falsifikim dokumentesh me qëllim “vjedhjen e pronave” në zonën bregdetare të Gjipes.

Gjipeja do të bëhet varri yt politik, sepse ti ke urdhëruar dhe je hartues i një falsifikimi, ideatori i vjedhjes së pronës së himariotëve”, deklaroi Noka nga foltorja e Kuvendit.

Ardit Bido iu kundërpërgjigj me ironi, duke e goditur Nokën për gafën e tij të 28 nëntorit, kur tha se flamurin e Pavarësisë në 1912 e ngriti Skënderbeu.

Është i vetmi Flamur që nuk e di kush e ka ngritur flamurin. Sa kushton kostumi yt sot, është e gjithë pasuria ime. I bie që unë, në moshën 14-vjeçare, të kem shkuar në arkiv për të falsifikuar një dokument që të flasësh ti sot në Kuvend e të bësh patriotizëm”, tha Bido.

“Kërkoj të mos na fyejë ‘flamuri i vogël’ dhe doktori i vogël. Ka lidhje me mua sepse gjithë familjarët e tij janë sarandiotë i ka shpërndarë banesa në Sarandë që i takonin njerëzve në nevojë, familjarëve të vet”, shtoi ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërhyri në debat duke e thumbuar Nokën për deklaratën e tij dhe për krizën e brendshme në PD. “Shyqyr që ju kemi”, tha me ironi Balla.

Gafën e Nokës për Skënderbeun tentoi ta sqarojë Klevis Balliu, i cili bëri po ashtu një lapsus. “Sqarojeni Ballën që Skënderbeu e ngriti flamurin në 1444”, tha ai, ndërsa Ardit Bido menjëherë e korrigjoi:  “Historia zyrtare e daton ngjarjen në 1443. Mos flisni për historinë, se e bëni pis”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)