Në kërkim për tonelata kokaine, dorëzohet në Spanjë djali i Erzen Breçanit

Sipas SPAK, Breçani dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht në Holandë.

02.04.2026. 15:31

Në kërkim për tonelata kokaine, dorëzohet në Spanjë djali i Erzen Breçanit

Eralbi Breçani, djali i ish-nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme prej nëntorit të vitit 2023, është dorëzuar pranë autoriteteve policore në Spanjë.

Ai konsiderohet një nga personat kyç në një hetim të gjerë ndërkombëtar për trafik narkotikësh. Sipas SPAK, Breçani dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian, kryesisht në Holandë.

Në këtë aktivitet kriminal, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë, mes tyre edhe Ergys Dashi, ndërsa në kërkim vijon të jetë i dyshuari si drejtues i grupit, Ervin Mata.

Hetimet tregojnë se grupi është përfshirë në disa episode të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, përfshirë sekuestrimin e 446 kg kokainë në Holandë në janar të vitit 2021, si dhe raste të tjera në Brazil, Gjermani dhe vende të tjera.

Zbërthimi i komunikimeve përmes aplikacionit të enkriptuar SKY ECC ka qenë kyç për zbulimin e aktivitetit të këtij rrjeti kriminal, i cili dyshohet gjithashtu për përfshirje në pastrim parash dhe ngjarje të rënda kriminale në Shqipëri.

Në kuadër të këtij operacioni, më herët ishin arrestuar disa persona, mes tyre edhe ish-zyrtari i policisë Erzen Breçani, babai i Eralbit i cili tashmë ka lënë qelinë, si dhe zyrtarë të tjerë të rendit, si ish-shefi i Krimeve të komisariati Nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)