Dy personat e ekstraduar së fundmi nga Belgjika, Sergej Hasanpapaj dhe Mario Çela, janë izoluar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, një institucion me masa të rrepta sigurie për individë me rrezikshmëri të lartë.
32 vjeçari Hasanpapaj ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme për Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për tentativë vrasjeje me paramendim në kuadër të një organizate kriminale, si dhe për mbajtje dhe prodhim të armëve pa leje.
Ndërkohë, Mario Çela, vëllai i Suel Çelës ishte gjithashtu në kërkim ndërkombëtar dhe GJKKO kishte caktuar masën arrest me burg ndaj tij. Më parë, një gjykatë italiane në Verona kishte hequr sekuestrimin e pasurive të tij, duke konstatuar se fondet dhe investimet ishin të ligjshme dhe të dokumentuara.
Të dy të arrestuarit janë futur në një regjim të veçantë sigurie në Peqin, ku forcat e rendit kanë shtuar patrullimet dhe kontrollet e brendshme.
Institucioni i Peqinit konsiderohet ndër më të sigurtit në vend dhe është i përgatitur për të menaxhuar raste që kërkojnë kontroll maksimal.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)