Një 40-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, është arrestuar në Leuven të Belgjikës, pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar. Ndaj shqiptarit ishte lëshuar një urdhër-arresto evropian nga Prokuroria Publike e Perugia, për vuajtjen e një dënimi të mbetur prej 4 vitesh e 11 muajsh burg.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, 40-vjeçari ishte pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare të përfshirë në trafik droge. Hetimet datojnë që nga viti 2006, kur ai, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, dyshohet se importoi 20 kilogramë heroinë nga Shqipëria drejt Italisë. Baza e operacioneve të grupit ishte identifikuar në Pescara dhe zonat përreth.
Sipas autoriteteve, 12 kilogramë heroinë ishin destinuar për tregun e Ravenna, ndërsa pjesa tjetër ishte zhvendosur jashtë vendit për të shmangur kontrollet. Hetimi i zhvilluar nga Karabinierët e Grupit të Operacioneve Speciale (ROS) çoi në vitin 2013 në shpërbërjen e organizatës, me 71 të arrestuar dhe sekuestrimin e rreth 700 kg drogë.
40-vjeçari ishte zhdukur që prej qershorit 2025 dhe fillimisht u lokalizua në Recife, Brazil, përpara se të identifikohej në Belgjikë, ku jetonte familja e tij. Ai aktualisht mbahet në paraburgim dhe pret procedurat e ekstradimit drejt Italisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)