Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një 12-vjeçare mbeti shtatzënë si pasojë e abuzimit seksual nga një i njohur i familjes.
Pas rreth dy muajsh pritjeje, kanë dalë rezultatet e analizave mjeko-ligjore të kryera mbi fetusin 4-muajsh që mbante e mitura. Sipas burimeve hetimore, analizat kanë konfirmuar se autori i përdhunimit është 67-vjeçari i arrestuar, Rushan Selko.
Rezultatet laboratorike i janë bashkëngjitur tashmë dosjes hetimore në Prokurorinë e Korçës. Organi i akuzës pritet që në ditët në vijim të paraqesë kërkesën për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e çështjes për gjykim ndaj të pandehurit.
Ngjarja u bë publike në dhjetor të vitit të kaluar, kur u konstatua se 12-vjeçarja ishte në muajin e katërt të shtatzënisë. Sipas hetimeve paraprake, e mitura nuk kishte informuar familjarët për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që dyshohet se i ishin bërë nga 67-vjeçari, i cili sipas dëshmisë së saj e kishte frikësuar nëse do të tregonte.
Çështja vijon të hetohet nga autoritetet përkatëse, ndërsa opinioni publik ka reaguar gjerësisht për shkak të ndjeshmërisë dhe rëndësisë së saj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)