Këtë të enjte u zhvillua dhe seanca e radhës e dosjes "Plumbi i Artë" që u shoqërua me debate të forta mes të pandehurit Henrik Hoxhaj dhe të penduarit të drejtësisë Erjon Alibej.
Debati nisi për statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë për Henrik Hoxhajn, i cili tha se kërkesa nuk i është pranuar nga SPAK.
“Plumbi i Artë” është një proces gjyqësor që synon zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, përfshirë vrasje me pagesë, atentate, organizim grupi kriminal dhe trafik armësh, kryesisht në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
Hetimet janë zhvilluar nga SPAK pas një operacioni të gjerë disavjeçar, ndërsa në vitin 2023 u mbyllën hetimet kryesore, me 18 ngjarje të rënda të dokumentuara dhe mbi 30 persona të marrë të pandehur.
Dëshmia në seancë
Hoxhaj: Se çfarë të ka thënë Nuredini ty unë s’e di, ai është palaço.
Alibej: Bisedën me Nuredinin për vrasjen e Oti Kilës e ke bërë gojarisht apo në aplikacion?
Hoxhaj: E kam bërë gojarisht në Elbasan. Ka qenë para se të bieshe ti në burg. Ka qenë pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Herën e dytë, kur u ndërmorën veprime, e kemi diskutuar në aplikacion.
Alibej: Pse doja ta vrisja Oti Kilën, sipas Nuredinit?
Hoxhaj: Nuredini s’e di ç’thoshte për një lidhje. S’e di mirë.
Alibej: Kam qenë prezent, bashkë me Nuredinin, kur është bërë biseda në aplikacion për Sokol Sanxhaktarin.
Hoxhaj: Tani, unë po them çfarë më ka thënë Nuredini. Se është palaço ai, çfarë të bëjmë.
Alibej: Kur ke shkuar në Elbasan, të priti dikush me C-Class gri. Skerdi Tasi tha se ai ishte kunati i Alibejt. E njeh kunatin tim?
Hoxhaj: Jo, nuk e njoh.
Hoxhaj: Kam marrë porosi për vrasjen e Altin Ndocit. Kjo për shkak se këta ishin bërë bashkë dhe ishin bërë kundra “Krymit”. U mor porosia, por nuk u bë se ishte Covid. Ndoci ka jetuar nga zona e “Misto Mames”. I kam kaluar në lagje, ma ka treguar Nuredini. Bie shumë në sy se ishte pandemi, nuk kishte ku rrije. Sipas Nuredinit, “Krymi” e kishte porositur. Ai investonte. Pastaj Ndoci ra në burg.
– Pyetje: Po pasi ishte në burg, a vijoi ndonjë plan Nuredini për vrasjen e tij?
Hoxhaj: Ne jemi interesuar për ta vrarë Altin Ndocin me snajper brenda në burg. Nuredini e diskutonte me mua. Ishte në ëndrrat e tij, por nuk e kemi realizuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)