Dhuna gjatë protestës, 16 punonjës policie të plagosur

Protesta e zhvilluar para Kryeministrisë dhe Kuvendit u shoqërua me dhunë ndaj Policisë së Shtetit, ku si pasojë e sulmeve me molotov dhe mjete të forta u plagosën 16 punonjës policie.

10.02.2026. 22:27

Dhuna gjatë protestës, 16 punonjës policie të plagosur

Protesta e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë dhe më pas pranë Kuvendit është shoqëruar me akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore.

Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar sulme të dhunshme duke përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të policisë për t’u distancuar nga këto akte.

Si pasojë e përplasjes, 16 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.

Policia bën me dije se gjatë gjithë zhvillimit të tubimit ka qenë e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubim paqësor.

Ndërkohë, strukturat ligjzbatuese kanë nisur dokumentimin e të gjitha rasteve të dhunës me qëllim identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në përfundim të njoftimit, Policia e Shtetit shpreh vendosmërinë për përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që u distancuan nga dhuna, si edhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën e ofruar ndaj publikut.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)