“Zbardhën” Zvicrën me kokainë, 31 vite burg për Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin

GJKKO ka dënuar me 31 vite burg Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

10.02.2026. 17:46

“Zbardhën” Zvicrën me kokainë, 31 vite burg për Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 31 vite burg në total, Gëzim Bakallin (alias Shkëmbim Cërmanji) dhe Erjon Locin, të konsideruar si dy drejtuesit kryesorë të një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike drejt Zvicrës.

Sipas SPAK, Gëzim Bakalli kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të grupit kriminal. Ai u akuzua për trafikim të lëndëve narkotike në 15 episode, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për falsifikim dokumentesh kosovare të përdorura për veprimtarinë e paligjshme.

Nga ana tjetër, Erjon Loci u identifikua si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të grupit, i përfshirë në transportimin dhe shpërndarjen e drogës në territorin e Zvicrës. Ai u akuzua për prodhim dhe shitje të narkotikëve në 6 episode.

Grupit i është sekuestruar në Zvicër 22 kilogramë heroinë, 1.345 kilogramë kokainë, 2 kilogramë kanabis, 10 mijë tableta ekstazi dhe armë zjarri e pajisje regjistruese. Ndërkohë, në Zvicër janë arrestuar 10 shtetas të tjerë, shqiptarë dhe të huaj si të përfshirë në këtë rrjet.

Në vendimin e saj, GJKKO deklaron fajtor Gëzim Bakallin për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të kryer “në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë”.

“Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 dhe i pandehuri Gëzim Bakalli (alias Shkëmbim Cërmanji) dënohet përfundimisht me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Po ashtu, gjykata deklaroi fajtor Erjon Locin për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë.

“Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, masës së dënimit i zbritet 1/3 dhe i pandehuri Erjon Loci dënohet përfundimisht me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim”, thuhet në vendim.

Gjykimi ndaj të dyve u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Gjykata ka vendosur që vuajtja e dënimit për Bakallin dhe Locin të kryhet gjithashtu në një burg të sigurisë së lartë.

 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)