Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi dhe ka kërkuar zyrtarisht kalimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Kërkesa për gjykim është depozituar nga prokurori Elvin Gokaj, vetëm pak ditë pasi Roshi u paraqit në ambientet e SPAK dhe firmosi aktin e mbylljes së hetimeve.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila është caktuar për këtë proces. Elvis Roshi është marrë i pandehur për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në lidhje me parregullsi të dyshuara në procedurat e tenderimit gjatë kohës kur ai drejtonte Bashkinë e Kavajës.
Hetimi ka nisur pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i depozituar në shtator të vitit 2015 në Prokurorinë e Kavajës. Sipas kallëzimit, Roshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshohet se kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh të reja përmes tenderave të rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimit të disa rrugëve.
Parregullsitë u evidentuan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013 - dhjetor 2014. Sipas KLSH-së, janë konstatuar shkelje në 12 procedura tenderimi, kryesisht për rikonstruksion urban, rrugë lidhëse dhe mbjellje pemësh dekorative. Në disa raste, bashkia dyshohet se ka aplikuar standarde të dyfishta, duke nxjerrë nga gara operatorë me ofertën më të ulët.
Në tre tenderë të tjerë, ofertuesit me çmimin më të favorshëm janë përjashtuar padrejtësisht si pasojë e llogaritjeve të gabuara të ofertave. Dosja u transferua më pas në Prokurorinë e Durrësit, e cila kishte kërkuar pushimin e çështjes. Pas pas rihapjes së hetimeve nga SPAK gjatë vitit të kaluar, tashmë çështja do të gjykohet nga GJKKO.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)