Një 50-vjeçar është arrestuar në Tiranë me urdhër të Prokurorisë, pasi dyshohet se ka ndërtuar një skemë mashtrimi me taksat, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme të mëdha financiare.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në pranga ka rënë shtetasi Gjergji Fela, i cili akuzohet për krijimin e skemave mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe për fshehje të ardhurash. Hetimet kanë treguar se përmes një biznesi në emër të bashkëshortes së tij, ai ka deklaruar shitje të rreme, të cilat në realitet nuk kanë ndodhur.
Vlera totale e këtyre shitjeve fiktive arrin në rreth 150 milionë lekë, ndërsa dëmi i shkaktuar shtetit përllogaritet në mbi 62 milionë lekë.
Sipas autoriteteve, qëllimi i kësaj skeme ishte përfitimi i paligjshëm i rimbursimit të TVSH-së dhe ulja e shumës së tatimit që duhej paguar mbi fitimin. Dyshohet se Gjergji Fela ka pasur rol drejtues në këtë veprimtari, duke e organizuar dhe kontrolluar atë.
Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht pasojat financiare të kësaj skeme mashtruese.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)