Një vit pas arrestimit të tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të përballet përpara Gjykatës së Posaçme. GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen me akuzat ndaj tij, duke e çuar çështjen në fazën tjetër të procesit.
Seancat paraprake ishin të tensionuara. Veliaj dhe avokatja e tij, Valentina Teodoresku, kërkuan shtyrjen e gjykimit, duke argumentuar se nuk kishin pasur kohë të njiheshin me të gjithë dosjen hetimore. Gjyqtarja Deda rrëzoi kërkesën, ndërsa kryebashkiaku kërkoi përjashtimin e saj, duke pretenduar se po i mohohej e drejta për mbrojtje efektive.
Kjo kërkesë u rrëzua të premten dhe këtë të hënë gjyqtarja Deda shpalli vendimin për kalimin e dosjes në gjykim. Përveç Veliajt, në gjykim do të përfshihen edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa si dhe 28 persona të tjerë dhe shoqëri të përfshira në dosjen “Veliaj”.
SPAK ka ngritur 13 akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Aty përfshihen akuzat e korrupsionit pasiv, pastrimit të parave, mosdeklarim i pasurisë, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve të ndaluara në burg. Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025.
Ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste që lidhen me subjekte tregtare dhe jofitimprurëse, rëndojnë akuzat e pastrimit të parave, mosdeklarim i pasurisë dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët e përfshirë në dosje akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror, fshehje e të ardhurave dhe pastrim i paravë, ndërsa ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)