Dy shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga policia italiane në provincën e Teramos, pasi akuzohen se kishin shndërruar një parking publik në një pikë për shpërndarjen e drogës.
Arrestimet u kryen në zonën Villa Zaccheo–Petriccione, pas një operacioni të ndërmarrë nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Teramos.
Sipas autoriteteve, ndërhyrja erdhi pas disa sinjalizimeve anonime që flisnin për lëvizje të dyshimta në atë parking. Oficerët vendosën të monitoronin zonën dhe vunë re sjelljen e kujdesshme të dy të rinjve, 23 dhe 34 vjeç, të cilët qëndronin për periudha të gjata në vend.
Dy shqiptarët u kapën në flagrancë në momentin e shkëmbimit të pesë dozave kokainë me një person tjetër, në këmbim të parave. Pas ndalimit, policia kreu kontrolle të imtësishme në automjetin e tyre, ku u gjetën edhe pesë doza të tjera lënde narkotike.
Në banesën e tyre, u sekuestruan materiale të përdorura për paketimin e drogës, si dhe një shumë prej 1,450 eurosh, që dyshohet se përfitoheshin nga aktiviteti i paligjshëm. Dy të arrestuarit do të dalin para drejtësisë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)