Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, është paraqitur pasditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK prej prillit të këtij viti e ka marrë zyrtarisht të pandehur Benet Becin për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, së bashku me shtatë vartës të tij. Më herët, ai është pyetur nga prokurorët dhe ka dhënë shpjegime lidhur me çështjen që po hetohet.
Beci ka mbajtur më parë disa poste të rëndësishme publike, mes tyre atë të drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe për disa vite ka qenë drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. Në vitin 2021 ai u largua nga drejtimi i KESH-it, pas kandidimit si deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës dhe në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Benet Beci u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës.
Beci është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera ose ankande publike, në lidhje me tenderin “Zhvillimi strategjik i sektorit energjetik”, një projekt kërkimor me vlerë rreth 700 mijë euro. Sipas SPAK, vepra penale dyshohet se është kryer në vitin 2019, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e titullarit të KESH-it.
Në këtë çështje janë të pandehur edhe shtetasit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. Po ashtu, e akuzuar në këtë dosje është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, e cila është paraqitur në SPAK dhe ka firmosur mbylljen e hetimeve të premten e kaluar.
Benet Beci po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa SPAK vijon procedurat ligjore për çështjen në fjalë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)