Kapen sasi të mëdha fishekzjarrësh në Tiranë

Policia e Tiranës ka goditur disa raste të tregtimit dhe posedimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike, duke arrestuar dy persona, proceduar një tjetër dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme materiale të rrezikshme.

17.12.2025. 09:39

Kapen sasi të mëdha fishekzjarrësh në Tiranë

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë intensifikuar kontrollet në subjekte tregtare dhe ambiente të ndryshme, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike dhe plasëse.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, Policia ka evidentuar tre raste të posedimit të lëndëve piroteknike me qëllim shitjen, si dhe një rast kontrabande mallrash, duke arrestuar dy shtetas dhe proceduar penalisht një tjetër. Gjatë operacioneve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, lëndë djegëse, si edhe veshje të dyshuara të kontrabanduara.

Konkretisht, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin H. Z., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e tij u gjet një sasi e madhe lëndësh piroteknike, si dhe veshje të dyshuara si mallra kontrabandë. Të gjitha sendet u sekuestruan si prova materiale.

Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin D. Q., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjet dhe banesë iu gjetën lëndë të ndryshme piroteknike, të cilat u sekuestruan.

Po ashtu, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. H., 45 vjeç, pasi në marketin e tij, në rrugën “Frosina Plaku”, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar plasëse.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)