Policia ka zbardhur djegien e qëllimshme të dy automjeteve në lagjen “Iliria” në Shkodër, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 9 dhjetorit 2025, duke çuar në arrestimin e një 19-vjeçari dhe procedimin penal të një të mituri si bashkëpunëtor.
Burime zyrtare bëjnë me dije se, pas hetimeve intensive, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër finalizuan operacionin e koduar “Traces”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi K. M., 19 vjeç, banues në Shkodër. Ai dyshohet se ka qenë autori kryesor i djegies së dy automjeteve në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D.
Në të njëjtën kohë, ndaj një 16-vjeçari ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi prova të rëndësishme materiale, përfshirë veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri tip mitraloz i lehtë, municion luftarak, si edhe një sasi lënde narkotike kanabis.
Hetimet paraprake kanë dokumentuar lidhjen e autorëve me ngjarjen përmes provave të siguruara në terren dhe veprimeve hetimore të kryera pas djegies së automjeteve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)