Një konflikt i nisur virtualisht në rrjetet sociale është kthyer në një akt të rëndë dhune në Tiranë, duke tronditur për mënyrën se si përplasjet në rrjetet sociale po marrin përmasa kriminale. Ngjarja ndodhi më 6 dhjetor, pranë rrethrrotullimit të Freskut, ku një 26-vjeçar u sulmua brutalisht me mjete të forta, vetëm për një koment ofendues të bërë gjatë një transmetimi “live” në TikTok.
Sipas hetimeve, porosia për dhunimin e të riut dyshohet të jetë dhënë nga dy personazhe të njohur të TikTok-ut, Gjokë Ndrevataj, i njohur si Aron dhe Xhemal Uka, i njohur si Fire. Të dy këta emra, bashkë me Helidon Markun, 49 vjeç, rezultojnë me precedent penal. Marku, i cili ishte autor i sulmit, u arrestua nga policia në banesën e tij në Shkodër dhe më pas u shoqërua në Tiranë, ndërsa Ndrevataj dhe Uka janë shpallur në kërkim.
Pamjet e dhunës, ku Marku shihet duke goditur disa herë viktimën në kokë me çekiç, janë filmuar dhe i janë dërguar Aronit, i cili më pas i publikoi në profilin e tij. 26-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda, përfshirë fraktura në kafkë.
Në kuadër të operacionit “Porosia”, policia ka proceduar penalisht edhe një 33-vjeçar që dyshohet se shoqëroi autorin në vendin e ngjarjes dhe nuk kallëzoi rrethanat e saj.
Njoftimi i policisë
Identifikohen 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht 2 porositësit e plagosjes dhe njëri nga autorët.
Vihet në pranga ky i fundit dhe punohet intensivisht për kapjen e 2 porositësve.
Të tre shtetasit e përfshirë, me precedentë penal të theksuar për krime kundër personit.
I arrestuari, me precedent edhe për armëmbajtje pa leje.
Procedohet penalisht një shtetas që dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes, te vendi i kryerjes së krimit, dhe nuk ka kallëzuar rrethana të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., me sende të forta, më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Porosia”, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht H. M., 49 vjeç, Gj. N., 36 vjeç dhe Xh. U., 30 vjeç.
Nga këto veprime rezultoi se 36-vjeçari dhe 30-vjeçari, për motive të dobëta, kanë porositur shtetasin H. M., për të kryer plagosjen.
Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gj. N. dhe Xh. U., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin H. M., për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)