Nis gjykimi për Laert Haxhiun dhe bandën e tij, akuzohet për 14 krime të kryera në dy vite

GJKKO ka nisur gjykimin për të pandehurit Laert Haxhiu, Kristi Bixheku, Artan (alias Marjus) Tafani, të cilëta akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale kryer në harkun kohor të dy viteve, kryesisht në zonën e Lushnjës.

12.12.2025. 15:05 >> 15:15

Nis gjykimi për Laert Haxhiun dhe bandën e tij, akuzohet për 14 krime të kryera në dy vite

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen me protagonist Laert Haxhiun, ku bëjnë pjesë edhe Kristi Bixheku dhe i penduari i drejtësisë Artan (Marjus) Tafani.

Të tre të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, që përfshijnë vrasje me paramendim, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me armë, sigurim kushtesh për vrasje dhe vrasje për gjakmarrje.

Në njoftimin zyrtar, GJKKO bën të ditur se Laert Haxhiu akuzohet për 14 ngjarje të rënda kriminale. Sipas Gjykatës, Haxhiu konsiderohet drejtues dhe organizator i një grupi të strukturuar kriminal dhe akuzohet për përfshirjen në ngjarje të ndodhura në Lushnjë, Tepelenë, Peqin, Durrës, Shijak dhe zona të tjera, duke nisur nga prilli 2021 deri në periudhën prill–maj 2024.

Në njoftim thuhet se ai përballet me akuza për “vrasje me paramendim, e kryer për interes”, “vrasje për gjakmarrje”, “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “mbajtje pa leje të armëve”, “vjedhje me armë”, “sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje”,  si dhe veprime të tjera të kryera në formën e bashkëpunimit në “grup të strukturuar kriminal”.

Ndaj Kristi Bixhekut rëndojnë kryesisht akuza për shkatërrim prone me eksploziv dhe sigurim kushtesh për vrasje në lidhje me ngjarjet e ndodhura në vitet 2022–2024.

Ai dyshohet se ka vepruar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Haxhiu.

Sakaq, Artan Tafani, i cili mban statusin e të penduarit të drejtësisë, akuzohet për sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje.  Akuza lidhet me një ngjarje të ndodhur më 6 korrik të vitit 2022 në Lushnjë.

Gjykata e Posaçme deklaron se në seancën paraprake të 12 dhjetorit 2025 është vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjykim. Dosja hetimore në ngarkim të Laert Haxhiut përmban 45 volume me qindra faqe secila, procesverbale, prova materiale, dëshmi dhe akte hetimore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)