Është shtyrë sërish seanca paraprake në GJKKO për dosjen “Veliaj”. Seanca e radhës do të zhvillohet më 12 dhjetor, ku pritet të vijojë procesi ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të akuzuarve të tjerë e disa shoqërive të përfshira në hetim. Të pandehurit nuk kanë paraqitur ende mbrojtjen e tyre përfundimtare.
Seanca e kaluar, e mbajtur pak ditë më parë u shty pas kërkesës së Veliajt për t’u njohur me aktet e dosjes. Ai ka kundërshtuar gjithashtu vendosjen në kafazin e sigurisë, duke e cilësuar si shkelje të të drejtave të tij.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit 2025, dhe ndaj tij rëndojnë disa akuza, si: pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja Ajola Xoxa akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë Veliajn në detyrë si kryebashkiak të Tiranës, duke shfuqizuar vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe dekretin e Presidentit për zgjedhje të parakohshme. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë lidhur me masën “arrest me burg”. Seanca e 12 dhjetorit pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse dosja do të dërgohet për gjykim apo do i kthehet SPAK për hetime të mëtejshme.
Kërkesa e Bushkës: “Pushoni çështjen, nuk ka vepër penale”
Gjatë seancës, mbrojtja e ish-deputetes Klotilda Bushka kërkoi pushimin e akuzave ndaj saj, duke argumentuar se “nuk ka asnjë vepër penale”. Në mungesë të kësaj, ajo kërkoi që gjykata të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e dosjes. Klotilda Bushka akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës në çështjen “Veliaj”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)