Qeveria e bën zyrtare, paga minimale rritet në 50 mijë lekë nga 1 janari

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të premte rritjen e pagës minimale në vend, e cila nga 40 mijë lekë do të shkojë në 50 mijë lekë.

19.12.2025. 15:31

Qeveria e bën zyrtare, paga minimale rritet në 50 mijë lekë nga 1 janari

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të premte rritjen e pagës minimale në vend, e cila nga 40 mijë lekë do të shkojë në 50 mijë lekë. Vendimi do të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 janari 2026.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se nga kjo masë përfitojnë rreth 307 mijë punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat. Sipas saj, rritja e pagës minimale synon mbrojtjen e nivelit të jetesës së të punësuarve, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare.

Ibrahimaj theksoi gjithashtu se ky vendim do të ndikojë pozitivisht në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në rritjen e respektimit të kontratave ligjore. “Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike”, u shpreh ajo.

Sipas vendimit të qeverisë, për 9 muajt e parë të zbatimit të rritjes së pagës minimale, kostoja shtesë e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk do të përballohet nga biznesi, por nga buxheti i shtetit.

Rritja e pagës minimale ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë dëgjesave për projektbuxhetin 2026 me qytetarët e Tiranës. Rama po ashtu ka këmbëngulur se deri në fund të mandatit të tij ajo do të arrijë në 700 euro.

Sipas kryeministrit, masa e mbulimit të sigurimeve nga shteti në muajt e parë synon t’u japë punëdhënësve kohë për t’u përshtatur me rritjen, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e punonjësve dhe zbatimin e pagës minimale në çdo kompani dhe biznes në vend.

“Nga 1 janari 2026 paga minimale në sektorin publik dhe privat dhe në çdo kompani dhe dyqan paga minimale do të jetë 500 euro. Në mënyrë që punëdhënësit të marrin kohë për të sistemuar këtë rritje 9 muajt e parë sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore të atyre që e kanë nën 500 euro do ti paguajë qeveria. Punëdhënësit do të duhet që ti japin punonjësve paga minimale nga janari 500 euro. Sigurimet do ti mbulojë qeveria. Paga minimale do të rritet dhe ne se mbrojmë këtë mandat pa e çuar në 700 euro pagën minimale”, është shprehur Rama gjatë njërës prej dëgjesave me qytetarët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)