ERE cakton çmimin e energjisë për vitin 2026

Çmimi i energjisë elektrike për qytetarët në vitin 2026 do të vijojë të mbetet 8.5 lekë për kW/h, ashtu siç edhe ka qenë nga janari i 2025. ERE mori këtë të mërkurë vendimin për të ruajtur të njëjtin çmim për familjet që konsumojnë deri në 700 kilovat/orë energji.

17.12.2025. 16:14

ERE cakton çmimin e energjisë për vitin 2026

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mos ndryshojë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët edhe për vitin 2026. Me vendimin e fundit, ERE ka lënë në fuqi fashën prej 700 kilovat/orë në muaj, të miratuar fillimisht në janar të këtij viti, duke zgjatur afatin e saj deri në fund të vitit të ardhshëm.

Sipas vendimit, të gjitha familjet që konsumojnë deri në 700 kilovat/orë energji elektrike në muaj do të vijojnë ta paguajnë energjinë me çmimin 8.5 lekë për kilovat/orë, pa TVSH. Ky çmim mbetet i pandryshuar nga ai i miratuar në janar 2025, kur u ul nga 9.5 lekë/kilovat.

Ndërkohë, për abonentët familjarë që e kalojnë kufirin prej 700 kilovat/orë në muaj, qoftë edhe me vetëm 1 kilovat më shumë, çmimi i energjisë do të mbetet 9.5 lekë për kilovat/orë, pa TVSH, njësoj si aktualisht.

Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, ERE argumenton se tarifat aktuale janë të mjaftueshme për të mbuluar kostot e aktivitetit të Furnizuesit të Shërbimit Universal.

“Bazuar në të dhënat e deklaruara nga shoqëria, rezulton se çmimet e miratuara me vendimet nr. 10, datë 8.1.2025, dhe vendimin nr. 255, datë 15.10.2025, gjenerojnë të ardhura të cilat kanë mbuluar kostot e aktivitetit të shoqërisë, duke garantuar ushtrimin e një aktiviteti normal operacional, aktivitet i cili pritet të vijojë në të njëjtën formë dhe për vitin 2026. Në mënyrë që shoqëria FSHU sh.a., edhe për vitin 2026, të mundet të realizojë aktivitetin për të cilin është licencuar, bëhet e domosdoshme të vijojë faturimin, bazuar në çmimet e miratuara nga ERE”, thuhet në komunikatën zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë.

Vendimi i mëparshëm i ERE-s ishte i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2025, ndërsa me këtë vendim të ri, afati i aplikimit të tarifave aktuale shtyhet deri në fund të vitit 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 1 milion konsumatorë familjarë në vend përfitojnë nga fasha deri në 700 kilovat/orë në muaj, duke u furnizuar me energji elektrike me çmimin e reduktuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)