Samiti i NATO, Vengu: Shqipëria, investime konkrete për sigurinë

Në Bruksel mbahet samiti i NATO-s i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare. Ky takim vjen pas atij të Hagës, ku u përcaktuan objektiva mbi bazën e vlerësimit realist të sigurisë.

12.02.2026. 10:00

Samiti i NATO, Vengu: Shqipëria, investime konkrete për sigurinë

Në Bruksel mbahet samiti i NATO-s i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare. Ky takim vjen pas atij të Hagës, ku u përcaktuan objektiva mbi bazën e vlerësimit realist të sigurisë. 

Në këtë takim merr pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu. Nga Brukseli, ai thekson se, diskutimet e sotme fokusohen te përshtatja operacionale e Aleancës, përshpejtimi i proceseve të vendimmarrjes dhe një shpërndarje më e balancuar e barrës së sigurisë mes aleatëve.

Sipas tij, vendimi për dislokimin e operacionit “Arctic Sentry” përreth Groenlandës konfirmon se siguria euro-atlantike është e pandashme dhe shtrihet nga veriu strategjik deri në Mesdhe. Në këtë kuadër, ai nënvizon rëndësinë e forcimit të pozicionimit të NATO-s në krahun juglindor, si një element thelbësor për stabilitetin e gjithë rajonit.

“Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit”, u shpreh ministri Vengu në reagimin e tij.

Takimi në Bruksel pritet të konkretizojë më tej prioritetet e përcaktuara në Hagë, në një kohë kur sfidat e sigurisë në hapësirën euro-atlantike vijojnë të mbeten komplekse dhe dinamike. Mbështetja për Ukrainën do të përbëjë sërish një nga shtyllat e diskutimit, së bashku me forcimin e mbrojtjes, zbatimin e angazhimeve për rritjen e shpenzimeve të saj dhe vëmendje për krahun lindor të Aleancës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)