Indeksi kundër korrupsionit për vitin 2025, “Transparency International”: Shqipëria humb 11 vende

Kosova ka marrë 43 pikë, ky rezultat i pozicionon të 76-ët në nivel global, tri vende më poshtë krahasuar me renditjen e vitit të kaluar.

10.02.2026. 09:31

Indeksi kundër korrupsionit për vitin 2025, “Transparency International”: Shqipëria humb 11 vende

Shqipëria ka pësuar regres në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2025, sipas raportit më të fundit të “Transparency International” për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Vendi ynë ka humbur 3 pikë krahasuar me një vit më parë, duke zbritur nga 42 në 39 pikë. Kjo është shoqëruar edhe me rënie prej 11 pozicionesh në renditjen botërore.

Në raportin e vitit 2024, Shqipëria renditej në vendin e 80-të nga 182 shtete dhe territore, ndërsa në publikimin e përditësuar pozicionohet në vendin e 91-të, duke reflektuar përkeqësim të perceptimit për korrupsionin në sektorin publik.

Ndryshe nga Shqipëria, Kosova ka marrë 43 pikë në indeksin e vitit 2025, një pikë më pak se në vitin e mëparshëm. Ky rezultat e rendit Kosovën në vendin e 76-të në nivel global, tri vende më poshtë krahasuar me renditjen e vitit të kaluar.

“Transparency International” sqaron se indeksi mat nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0 deri në 100. Zero nënkupton korrupsionin ekstrem dhe 100 një nivel të lartë integriteti institucional. Renditja globale pasqyron pozicionin relativ të vendeve në raport me njëri-tjetrin.

Të dhënat mbi të cilat bazohet indeksi përfshijnë vlerësime mbi ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve publike, mungesën e ndëshkimit për zyrtarët e korruptuar, ndikimin e burokracisë dhe emërimeve politike. Gjithashtu përllogaritet edhe transparenca në deklarimin e pasurisë dhe konflikti i interesit. Organizata thekson se indeksi nuk mat përvojën personale të qytetarëve me korrupsionin dhe nuk përfshin korrupsionin në sektorin privat apo ekonominë informale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)