“Me Ramën s’kemi qenë armiq”, Dash Sula merr detyrën si Kryeinspektor

Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula është prezantuar zyrtarisht në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm. Sula u largua nga Partia Demokratike gjatë zgjedhjeve të 14 majit, pasi u la jashtë listave të mbyllura, dhe më pas nisi përplasjet në distancë me kryedemokratin Sali Berisha.

09.02.2026. 17:25

“Me Ramën s’kemi qenë armiq”, Dash Sula merr detyrën si Kryeinspektor

Dashnor Sula është prezantuar zyrtarisht këtë të hënë në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, në një ceremoni ku ishte e pranishme edhe ministrja Delina Ibrahimaj.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike mbajti fjalën e tij të parë pas marrjes së detyrës, duke e cilësuar këtë moment si një sfidë personale dhe profesionale, ndërsa falënderoi stafin për mikpritjen dhe pjesëmarrjen.

“Çdo person që kryen një funksion ka një detyrë për të përmbushur në bazë të ligjit dhe do të jetë në raport të drejtpërdrejtë me mua. I konsideroj të gjithë kolegë, pa dallime pozicionesh apo funksionesh”, u shpreh Sula, duke garantuar korrektësi dhe bashkëpunim institucional.

Ai vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Shkëlqim Hajdari, si edhe kontributin e stafit ndër vite, ndërsa premtoi angazhim maksimal në ushtrimin e detyrës.

“Përkushtimi do të jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit deri te ora që mbyllet. Ju garantoj se do të jem 24 orë për çdo problem që dikush do të ketë për të informuar apo për të dhëna që duhet kontaktuar.”

Sula nuk e shmangu një koment për raportin e tij me kryeministrin Edi Rama, teksa gjerësisht është kritikuar si i shitur tek qeveria, pasi emri i tij u njoftua si drejtues i Inspektoriatit. Duke sjellë në vëmendjet përplasjet me Ramën në kuadër të debatit politik, Sula tha se ata kurrë nuk kanë qenë armiq.

“Pavarësisht se me zonjën ministre dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të çuar diçka më përpara për Shqipërinë. Për mua kjo detyrë nuk është privilegj, por një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ për të përmbushur këtë mision”, theksoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)