Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit të koduar “Fireëorks”, për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike, nga subjekte të paautorizuara, në prag të festave të fundvitit.
Në tre markete në Kombinat, Kamzë dhe Krujë u konstatua mbajtja në mënyrë të paligjshme e sasive të fishekzjarrëve dhe kapsollave, me qëllim shitjen e tyre. Si rrjedhojë, policia arrestoi tre pronarët e subjekteve dhe sekuestroi kuti me lëndë piroteknike.
Gjithashtu, sasi fishekzjarrësh u gjet edhe në një automjet, drejtuesi i të cilit u procedua penalisht, ndërsa porositësi është shpallur në kërkim. Numri i rasteve të goditura prej nisjes së planit të posaçëm operacional ka shkuar në shtatë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen përditë, në kuadër të planit operacional “Fireëorks”, në subjekte që mund të tregtojnë pa autorizim lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 3 markete në këtë paligjshmëri.
Për këto 3 raste u arrestuan shtetasit K. K, A. B. dhe F. Sh., pasi në marketet e tyre, përkatësisht, në Rrugën e Qelqit, Kombinat, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, dhe në fshatin Hasan, Krujë, u gjetën kuti me lëndë piroteknike, që mbaheshin me qëllim shitjen.
Ndërkohë, nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u procedua penalisht shtetasi E. B., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi E. P., 20 vjeç. Në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin E. B., u konstatua një sasi e konsiderueshme fishekzjarresh, të cilat dyshohen se janë porositur nga shtetasi E. P. Punohet për kapjen e 20-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)