Kosova ka hedhur një hap të rëndësishëm në angazhimin e saj ndërkombëtar për ruajtjen e paqes, duke vendosur të kontribuojë me trupa në një mision në Rripin e Gazës.
Kuvendi i Kosovës miratoi me shumicë të cilësuar propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të një force ndërkombëtare stabilizuese në Rripin e Gazës. Vendimi u miratua me 89 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim, duke reflektuar një mbështetje të gjerë politike.
Për hyrjen në fuqi, vendimi pritet të nënshkruhet nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu. Ky angazhim vjen si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, një mekanizëm i lidhur me iniciativën e quajtur Bordi i Paqes, e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se ky vendim rrit profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe dëshmon profesionalizmin e FSK-së. Sipas tij, vendi po pozicionohet si një partner i besueshëm që kontribuon aktivisht në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.
Kosova është ndër pesë shtetet e para që janë zotuar për këtë mision, së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë. Qëllimi i këtij angazhimi është mbikëqyrja e armëpushimit dhe garantimi i sigurisë në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk janë bërë publike detaje lidhur me numrin e trupave apo afatin e dislokimit. Paralelisht, Kuvendi pritet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)