Grabitje e frikshme në një bankë në Napoli, autorët marrin 25 persona peng, më pas zhduken

Ende nuk dihet vlera e saktë e dëmit, pasi grabitësit kanë marrë kasaforta personale dhe jo para cash.

Burimi: BBC

17.04.2026. 07:39

Grabitje e frikshme në një bankë në Napoli, autorët marrin 25 persona peng, më pas zhduken

Një grabitje spektakolare ka ndodhur në Napoli, ku disa persona të armatosur sulmuan një bankë në mes të ditës, duke marrë peng 25 persona dhe më pas u arratisën përmes një tuneli.

Ngjarja ndodhi rreth mesditës në një degë të “Crédit Agricole”, ndërsa policia rrethoi menjëherë zonën. Sipas mediave lokale, autoritetet zhvilluan negociata me grabitësit dhe arritën të sigurojnë lirimin e pengjeve rreth dy orë pas nisjes së grabitjes.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarrfikësit duke thyer dritaret e bankës dhe duke ndihmuar njerëzit të dalin jashtë. Disa prej tyre dolën të qetë, ndërsa të tjerë shfaqeshin të tronditur, duke qarë dhe përqafuar familjarët. Gjashtë persona morën ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së shokut.

Një nga pengjet deklaroi për mediat se grabitësit i kishin mbyllur në një dhomë dhe, megjithëse ishin të armatosur, nuk ushtruan dhunë. Autoritetet konfirmuan se askush nuk u plagos rëndë dhe të gjithë pengjet u liruan të sigurt.

Ndërkohë, forcat speciale të policisë italiane u angazhuan në operacion dhe ndërhynë disa orë më vonë, duke hyrë në bankë përmes një dritareje. Gjatë ndërhyrjes u dëgjuan të shtëna dhe shpërthime granatash trullosëse.

Megjithatë, sipas raportimeve, grabitësit kishin arritur të largoheshin më herët përmes një tuneli, që dyshohet se lidhet me sistemin e kanalizimeve të qytetit. Forcat e rendit u panë më pas duke kontrolluar një pus pranë vendit të ngjarjes.

Ende nuk dihet vlera e saktë e dëmit, pasi grabitësit kanë marrë kasaforta personale dhe jo para cash. Hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë në vijim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)