Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, duke kërkuar hetim për një dokument që, sipas tij, ka shërbyer si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj tij.
Sipas zyrës ligjore që mbron Veliajn, procedimi nr. 27/2024 është mbështetur në një dokument të firmosur nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili, sipas verifikimeve zyrtare nuk rezulton të ekzistojë në regjistrat e gjendjes civile.
Në kallëzimin e Veliajt theksohet se nuk kemi të bëjmë me një denoncim anonim, por me një identitet të sajuar, i përdorur për të krijuar besueshmëri të rreme përpara organit të akuzës. Sipas Veliajt, kjo përbën falsifikim dokumentesh dhe ndërhyrje në procesin e nisjes së ndjekjes penale.
Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet pas hekurave prej më shumë se një viti, kërkon identifikimin e autorit real të dokumentit që çoi në arrestimin e tij, si dhe hetimin e çdo përgjegjësie penale që lidhet me përdorimin e identiteteve të rreme.
"Si bazë për fillimin e procedimit penal ndaj meje ka shërbyer dokumenti “Të dhëna për SPAK”, i hartuar dhe i nënshkruar nga një person i vetëidentifikuar si “Nesti Angoni”. Nga verifikimet e kryera nga vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe për rrjedhojë kemi të bëjmë me një identitet të rremë. Në këtë kontekst, është thelbësore të theksohet se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim në kuptimin klasik të ligjit, por me një dokument të paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar, përmes përdorimit të një identiteti të rremë konkret, të shoqëruar me nënshkrim fizik.Nënshkrimi i vendosur në dokument nuk i përket një personi real, por është përdorur për të materializuar një identitet të rremë, duke krijuar një paraqitje të pavërtetë përpara organit publik. Nëse autori do të kishte dashur të mbetej anonim, ai do të paraqitej si i tillë. Zgjedhja për të përdorur një emër konkret dhe për ta shoqëruar atë me nënshkrim fizik nuk është rastësore, por synon të krijojë një perceptim të rremë identiteti dhe besueshmërie, duke ndikuar drejtpërdrejt në vlerësimin e organit procedues për seriozitetin e informacionit të paraqitur", thuhet në kallëzimin e Veliajt.
Gjithashtu, në kallëzim përmendet edhe një rast i dytë me një tjetër emër të pa verifikueshëm, “Nasta Pëllumbi”, që rezulton të jetë pjesë e dosjes hetimore të SPAK.
Sipas argumentimit nga avokati i Veliajt ngrihet dyshime për një burim të përbashkët ose një skemë të organizuar për krijimin e kallëzimeve artificiale ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Në dokument vihet në dukje edhe standardi i shpallur nga SPAK, sipas të cilit vetëm kallëzimet që përmbushin kriteret ligjore duhet të regjistrohen, ndërsa në rastin e Veliajt, pretendohet se është vepruar në kundërshtim me këto rregulla.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)